Zjarri shkrumbon 90% të fshatit që regjistroi temperaturën më të lartë në Kanada

Një situatë katastrofike po vijon prej ditësh në zonën e Lytton në Kanada, ku temperaturat e larta i kanë lënë vendin zjarreve të frikshme që kanë shkatërruar gjithçka që u ka dalë përpara.

Autoritetet e rajonit të British Columbia, i cili këtë javë shënoi temperaturën 49 gradë celsius, raportojnë se pothuajse 90% e fshatit tashmë është shkrumbuar dhe dëmet janë të pallogaritshme.

Edhe kryebashkiaku i Lytton shprehet se është një fat i madh që ka shpëtuar pasi për një kohë të shkurtër e gjeti veten të rrethuar nga flakët.

“Nuk do të mbetet shumë gjë nga Lytton. Zjarret janë anembanë”, tha kryebashkiaku Polderman.

Më herët, ai iu kishte bërë thirrje banorëve që të evakuohen dhe të mos rrezikojnë jetën e tyre.