2 mijë euro ryshfet: Arrest me burg prokurorit të Kukësit, Edmond Karriqi

Marrja e 2 mijë eurove për të liruar të arrestuarit për trafik droge i ka kushtuar shtrenjtë kreut të prokurorisë së Kukësit, Edmond Karriqi, i cili do të qëndrojë në burg, derisa të përfundojnë hetimet. Ai akuzohet për korrupsion, nga SPAK, ndërsa Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e prokurorisë për ta lënë në “arrest me burg”, pasi hetuesit e kanë filmuar teksa mori 2 mijë euro për të pushuar një çështje trafiku droge, në vitin 2019, ku ishin arrestuar 5 persona.

SPAK ka argumentuar se pritej momenti kur prokurori Karriqi do të pezullonte hetimet e kësaj dosjeje dhe më tej është kërkuar nga gjykata firmosja e arrestit. Ndërkaq, avokatët thanë jashtë kamerave, se do ta kundërshtojnë këtë vendim në Gjykatën e Apelit, pasi sipas tyre nuk kishte prova për përfshirjen e tij në korrupsion.

Në burg u la edhe shoferi i prokurorit, në rolin e sekserit, Isuf Gega, ndërsa 2 persona të tjerë të përfshirë në këtë aferë korrupsioni, nuk janë arrestuar ende. Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet ta pezullojë prokurorin Karriqi, deri në momentin kur për të, të jepet një masë përfundimtare nga gjykata.