Bota po mbulohet nga plastika, por mund të na shpëtojnë…lopët

Lopa pollution 1100x620

Planeti ynë, ndër problemet e shumta që po has në dekadat e fundit, ndër më të rëndësishmit ka edhe ndotjen.

Sasia e madhe e objekteve plastike që hidhen si mbetje janë pjesë e madhe e kësaj ndotje. Është analizuar që nga vitet ’50 të shekullit të kaluar janë prodhuar më shumë se 8 miliardë tonelata plastike, në formën e ambalazheve, shisheve, pjatave, por edhe lodrave të ndryshme.

Në natyrë një objekti plastik mund t’i duhen deri në 30 vjet për t’u degraduar plotësisht. Mënyrat për të ulur këtë sasi janë nga më të ndryshmet por asnjëra krejtësisht e qëndrueshme. Plastika është djegur, është ricikluar, është shndërruar në produkt kimik, por këto mënyra ose nuk mund të vijojnë për shumë kohë, ose gjithsesi kanë një impakt mjedisor domethënës.

Por kërkimet e fundit po përqendrohen tek enzimat, që ndodhen kudo në natyrë, edhe në krijesa shumë të njohura. Studiuesit e Universitetit të Vjenës kanë studiuar këto enzima tek lopët, dhe po marrin rezultate inkurajuese. Lëngu gastrik i lopëve sipas tyre përmban një koktej enzimash që mund të shpërbëjnë plastikën me ritme shumë më të shpejta. Përbërja e këtij lëngu po studiohet tani në mënyrë që kjo veti e tij të shndërrohet një praktikë në shkallë industriale.

Enzimat nuk po studiohen vetëm në Vjenë, tek lopët.  Në prill, kompania franceze Carbois ka gjetur një enzimë  në disa gjethe që mund të degradoi 90% të shisheve plastike në 10 orë. Ndoshta, “maleve” dhe “oqeaneve” me plastikë po i vjen fundi.