Pas rinovimit, rihapet Koloseumi

“Zemra e Romës nuk është mermeri i Senatit, është rëra e Koloseumit”. Kështu tha senatori roman Gracchus në filmin “Gladiatori”, që fitoi çmimin Oskar në vitin 2000.

Vetë zemra e Koloseumit, një sistem i ndërlikuar dhe intrigues i kalimeve nëntokësore, me kafaze dhe dhoma ku të burgosurit, kafshët e gladiatorët mbaheshin të lidhur para se të hynin në arenë, është hapur për publikun zyrtarisht prej 25 qershorit, pas rinovimeve të financuara nga një grup italian i modës: “Koloseumi është unik. Rinovimi i tij e rikthen edhe një herë në qendër të vëmëndjes, si një nga monumentet më të dashura e më të vizituara”.

I ndërtuar 2 000 vjet më parë, arena prej guri është amfiteatri më i madh i Perandorisë Romake. Sot është një atraksion i padiskutueshëm turistik, që në 2019 u vizitua nga 7,6 milionë turistë, përpara pandemisë koronavirus.

Pjesë e Koloseumit kanë qenë prej shekujsh mbi 70 mijë ulëse dhe Koloseumi shërbente për ndeshjet e gladiatorëve, ekzekutimeve publike dhe gjuetisë së kafshëve e lojërave me to.

Puna në labirintet poshtë arenës kryesore mori më shumë se 2 vite punë nga 80 punonjës, mes tyre arkeologë, arkitektë dhe inxhinierë që punuan në një vend prej 15 mijë metrash katrorë.

Një rrugicë e re, 160 metra e gjatë, u hap për herë të parë në këtë zonë, në këtë pjesë të monumentit që kurrë më parë nuk ka qenë e aksesueshme për vizitorët dhe turistët.

Kjo është pjesa e dytë e procesit me 3 faza, për të cilën punimet nisën 8 vite më parë, pjesë e projektit 25 milionë euro. Kaq ka kushtuar restaurimi vetëm i kësaj pjese për të shpëtuar Koloseumin: “Është shumë e rëndësishme që kompanitë e mëdha të vënë një pjesë të kapitalit të tyre në shërbim të vendit. Duhet ta kuptojnë se edhe ata mund të bëjnë diçka për vendin. Koloseumi është një pjesë shumë e rëndësishme për Italinë, monument që njihet në mbarë botën dhe është shumë i rëndësishëm për turizmin, jo vetëm turizmin ditor, por për biznesin në tërësi në Itali, që në këtë pikë duket se nuk ka konkurrencë në rang global”.

Faza e parë e ndërhyrjes për restaurimin e Koloseumit, përfshirë edhe pastrimin e sistemimin e fasadës, u zbulua në vitin 2016. Faza finale përfshin punimet restauruese të galerive, sistemin e ndriçimit dhe krijimin e qendrave të reja për vizitorët. Projekti total pritet të përfundojë brenda 3 viteve të ardhshme.

Qeveria ka vendosur t’i sigurojë arenës antike një dysheme të re të teknologjisë së lartë, e cila pritet po ashtu të përfundojë brenda vitit 2023.

Kompania Dalle Valle, e cila ka ndihmuar me financimin edhe të shtëpisë së operas së Milanos “La Scala”, i ka bërë thirrje kompanive të tjera të mëdha që të ndihmojnë në restaurimin e monumenteve të tilla, pasuri kombëtare, sa më parë të jetë e mundur, pasi kështu mund të ndihmojnë Italinë, turizmin dhe bizneset e saj.