Pasiguria për ekonominë, depozitat e shqiptarëve arritën në 9,2 miliardë euro në maj

Janë 183 milionë euro më shumë, paratë që po flenë në depozita që prej fillimit të vitit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë, tregojnë se tendenca e shqiptarëve për të kursyer nuk është ndalur as në vitin e rimëkëmbjes së ekonomisë.

Totali i depozitave në fund të muajit maj arriti në 1,134 trilionë lekë, apo rreth 9,25 miliardë euro, një tjetër rekord historik.

Rritja më e madhe e depozitave erdhi në segmentin e individëve, që si në lekë, ashtu edhe në valutë, lanë 20,9 miliardë lekë më shumë para në banka. Ndërsa edhe bizneset kursyen 4,8 miliardë lekë më shumë, para që mund të kishin shkuar për zgjerimin e aktivitetit të tyre.

Një ecuri e tillë tregon për nivelin e lartë të pasigurisë që individët dhe bizneset perceptojnë ende tek ekonomia, duke preferuar të mbajnë paratë në bankë dhe jo të bëjnë blerje të mëdha apo investime. Kjo reflektohet në një konsum të ulët, siç raportojnë edhe të dhënat e INSTAT për inflacionin. Dhe nga ana tjetër përforcojnë argumentet se rritja ekonomike 5.5% në tremujorin e parë erdhi vetëm nga shpenzimet e qeverisë në prag të zgjedhjeve të 25 Prillit.