Presidenti Biden emëron diplomatin Jeffrey M. Hovenier për ambasador të ardhshëm në Kosovë

Jeffrey M Hovenier 1100x620

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden emëroi diplomatin e karrierës në Departamentin e Shtetit, Jeffrey M. Hovenier si ambasador të ardhshëm në Kosovë, por pritet miratimi në Senat

Jeffrey M. Hovenier aktualisht shërben si zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuata në Ankara të Turqisë.

Nga gushti 2018 deri në korrik 2019 ai ka qenë i ngarkuari me punë në atë ambasadë.

Më herët, ai ishte zëvendës shef në detyrë i Misionit dhe ministër këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën amerikane në Berlin të Gjermanisë.

Ai ka shërbyer gjithashtu në misionet e Shteteve të Bashkuara, në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru; në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Zoti Hovenier ka përvojë në Kosovë, pasi ka shërbyer në ekipin e të Dërguarit të Posaçëm të OKB për statusin politik, Martti Ahtisaari.

Në vitin 2018, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e nderoi zotin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, “për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Gjatë ceremonisë për dhënien e medaljes, Presidenti Thaçi e falënderoi diplomatin amerikan “për kontributin në Konferencën e Rambujesë, në procesin e Vjenës dhe në procesin e shtetndërtimit të Kosovës”.

“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, u shpreh në atë kohë diplomati Hovenier.

Nëse konfirmohet nga Senati amerikan, zoti Hovenier do të zëvendësonte ambasadorin aktual Philip S. Kosnett, i cili u emërua nga ish-Presidenti Donald Trump në korrik të vitit 2018 dhe u konfirmua nga Senati në shtator dhe filloi detyrën si ambasadori i pestë amerikan në Republikën e Kosovës në dhjetor të atij viti.