Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Turistët rikthehen në Spanjë

Nga A2 CNN
3 Korrik 2021, 17:37 | Bota
Turistët rikthehen në Spanjë

Prej 7 qershorit, Spanja mirëpret turistë ndërkombëtarë, edhe pse ende me masa kufizuese në fuqi, duke bërë që shumë të huaj të stepen në dëshirën për të vizituar e pushuar në një nga vendet që mbetet destinacion i padiskutueshëm në mbarë botën.

Synimi i vendasve është të tërheqin sa më shumë turistë, për t’i dhënë jetën pas 1 viti e gjysmë në pandemi, turizmit, sektorit të goditur më rëndë. Të mirëpritur në Spanjë janë të gjithë, kryesisht ata që kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-covid.

Operatorët turistikë kanë qenë në pritje deri në moment të fundit.

Gjithsesi, pronarë të disa hoteleve në Madrid ende janë optimistë se turizmi përqark Spanjës do të rikthehet në nivelet e para pandemisë: “Ajo çka po shohim ditët apo javët e fundit është se numri i turistëve që duan të vijnë në Madrid po rritet dita-ditës. Mendoj se me parashikimin që kemi bërë, jemi vërtet optimistë, numri i vizitorëve të huaj është dyfishuar nga parashikimet e prillit dhe majit. Jemi vërtet optimist dhe çdo ditë lajmërohet për qytetarët e vaksinuar, që tashmë kanë më pak frikë për të udhëtuar dhe turistët kanë një motiv për të vizituar Madridin. Mendoj se masat kundër përhapjes së pandemisë po adaptohen me situatën në realitet. Gjithnjë e më shumë njerëz po vaksinohen, përhapja është frenuar disi. Në hostelin tonë pwr shembull, janë rezervuar për verën mbi 50% e kapacitetit akomodues. Kështu mund të shmangim fare mirë mbipopullimin në zonat më të frekuentuara, por vëmëndja është padyshim tek pastërtia. Mendoj edhe që masat në fuqi duhet të adaptohen 100% me situatën epidemiologjike dhe me situatën në spitale”.

Në aeroportin Malaga lëvizja ka rinisur prej disa javësh. Janë me mijëra turistë të huaj që kanë zgjedhur Spanjën si një nga destinacionet e preferuara ndërkombëtare, edhe pse ende shumë larg fluksit të jashtëzakonshëm të turistëve përpara krizës së Covid-19: “Mendoj se u ndjeva mjaftueshëm e sigurtë për të ardhur këtu, është vend po aq i sigurtë sa në shtëpi. Nuk e kuptoj përse Spanja ende nuk i ka hequr kufizimet totalisht dhe të vizitohet pa asnjë masë shtrënguese. Nuk e kuptoj këtë, por është mënyra që kanë zgjedhur që turizmi të funksionojë”.

Fluturimet ndërkombëtare drejt Spanjës, vetëm në qershor janë rritur me mbi 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por një zëdhënës i operatorit të aeroportit AENA, thotë se rritja ishte në të njëjtën linjë me rritjen e vizitorëve në tërësi përgjatë muajve të fundit.

Paralelisht, që prej 24 majit, turistët nga 10 vende, jo anëtare të BE që javët e fundit kanë regjistruar risk të ulët nga Covid, përfshirë këtu edhe Britania, kanë qenë të lirë të hyjnë në Spanjë, pa qenë nevoja për të patur një test negativ PCR.

Vizitorët e huaj në Spanjë, vendi i dytë më i vizituar i botës para pandemisë koronavirus, shënuan një rënie me 80% vitin e shkuar dhe kjo, sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave në Madrid, ndikoi drejtpërdrejtë në rënien e ekonomisë kombëtare spanjolle, me një ndikim negativ në 12%.

Edhe pse në krahasim me kolapsin në turizëm të një viti më parë, Spanjën e vizituan në prill-qershor mbi 1 milionë turistë të huaj, numër ky ndjeshëm më i ulët se e njëjta periudhë e vitit 2019.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani