Kryetari i ri i PDK, Memli Krasniqi e nis nga Prekazi i të rënëve për liri

MEMLI PREKAZ krasniqi 1100x620

Memli Krasniqi e nisi aktivitetin e tij si kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosoves prej aty ku prehen te rënët për liri të familjes së Adem Jasharit.

“Prekazi mbetet udhërrëfyesi ynë për çdo punë që bëjmë për vendin, sepse këtu ka lindur dhe ka marrë kuptim liria e popullit tonë”, shprehet ai në një postim në rrjetet sociale, në shoqërim të fotove që përcjellin nderimin e dëshmorëve të Kosovës.

Krasniqi e konsideron vizitën në kompleksin Memorial të Dëshmorëve të UÇK-së në Marinë, burim frymëzimi e fuqizimi për vetëdijen politike dhe për punët e shumta përpara.

Ish-themeluesit e PDK-së, ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit, janë në gjykim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Memli Krasniqi, i rritur në PDK, por pjesë e brezit të ri në drejtimin e politikës kosovare, thotë se, “e kaluara jonë është shtylla mbi të cilën qëndron e sotmja që do mundësojë ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë”.