Manastirliu në QSUT, viziton familjen e lënduar rëndë nga shpërthimi në Velipojë: Mjekët po bëjnë maksimumin

WhatsApp Image 2021 07 04 at 16.16.24 1100x620

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka vizituar sot të lënduarit nga ngjarja e rëndë e Velipojës, të cilët po marrin shërbim të specializuar në repartin e Djegie-Plastikës në QSUT.

Gjatë bisedës me stafin mjekësor, Ministrja e Shëndetësisë tha se po bëhet maksimumi për trajtimin e familjes së lënduar rëndë nga shpërthimi në Velipojë, por situata mbetet tejet kritike.

“Mjekët dhe infermierët në reanimacionin e repartit të Djegie-Plastikës në QSUT, po bëjnë maksimumin për t’u kujdesur për familjen e lënduar në ngjarjen e rëndë në Velipojë.

Stafi ynë po bën më të mirën, duke e trajtuar nënën dhe fëmijët me terapinë e plotë të mjekimit, por situata mbetet tejet kritike” tha Manastirliu.

Prof. Gjergji Belba, shef i shërbimit të Djegie-Plastikës, u shpreh se nëna me tre fëmijët kanë prognozë të rëndë dhe situata është jashtëzakonisht kritike, si pasojë e shkallës së rëndë të djegies që kanë pësuar.