Një vajzë në sportin burrëror, 10-vjeçarja po ringjall traditën e mundjes në Kukës

Mundja është sporti më tradicional në qytetin e Kukësit. Dikur skuadra Përparimi i këtij qyteti ishte e njohur në të gjithë vendin për sportin burrëror.

Tashmë ky ekip dhe ky sport thuajse nuk ekzistojnë. Si për ironi, mundësinë e ringjalljes së sportit të mundjes në qytetin e Kukësit, po e risjell një vajzë 10-vjeçare, Erglena Domi.

Në pamundësi për t’u stërvitur në Kukës, pasi mungojnë terrenet sportive dhe trajnerët, Erglena po stërvitet në qytetin e Prizrenit në Kosovë, ku ajo shkon tre herë në javë.

Për babanë e Erglenës, fakti që ajo është vajzë dhe po frekuenton një sport të njohur si burrëror, nuk është problem, e rëndësishme është që vajza të stërvitet dhe të japë rezultate.

Madje, ai është shpresëplotë që Erglena do të ringjallë edhe emrin e Përparimit të dikurshëm në mundje.

Ndërkohë, trajneri i Erglenës shprehet optimist se 10-vjeçarja ka të dhëna të mira si dhe ka fituar vendin e parë në turneun Ndërkombëtar të Mundjes për Femra, në stilin e lirë dhe se shumë shpejt do të japë të tjera rezultate të mira.

Erglena përkrahet dhe motivohet edhe nga shoqet e saj në Prizren, të cilat vlerësojnë iniciativën e vajzës nga Kukësi.

Tanimë që talentet po lindin i takon kryeministrit të vendit të mbajë fjalën për të krijuar kushtet në mënyrë që Kukësit t’i rikthehet sporti i mundjes.