Zjarret në pyje, AKM: Në harkun kohor 2017-2019 u prekën 2 135 hektarë sipërfaqe

Çdo vit e më shumë, Shqipëria humbet sipërfaqe pyjore. Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në harkun kohor 2017-2019 zjarret përshkuan një sipërfaqe prej 2135 hektarësh. Ardhja e verës, e shoqëruar nga temperaturat e larta, shton rrezikun nga zjarret, ndërsa ekspertët bëjnë thirrje për rritje të investimeve në këtë drejtim.

Në harkun kohor të viteve 2017-2019, zjarret në vend kanë përshkuar një sipërfaqe prej 2135 hektarësh, ku si pasojë e tyre janë djegur më shumë se 9,3 milionë metër katrorë pyje. Ky është konkluzioni i nxjerrë nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), në raportin e vitit 2020. 

Për ekspertin e mjedisit Abdulla Diku, shifrat e raportuara nga institucionet në vend nuk pasqyrojnë realitetin në terren, ndërsa thekson se fondet në dispozicion për mbrojtjen nga zjarri janë në nivele shumë të ulëta.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, qarqet Korçë, Elbasan, Dibër dhe Lezhë janë më të prekurit nga zjarret.