4 të shtruar në spitalin Covid janë pacientë të pavaksinuar, dy në gjendje kritike

Shkon në 4 numri i të shtruarve në Spitalin Infektiv. Pacientët me koronavirus dhe që kanë nevojë për trajtim spitalor janë gra mbi 50 vjeç, dy prej të cilave në gjendje më kritike.

Mjekët tregojnë se të shtruarat janë të pavaksinuara ndaj Covid-19 “Është edhe kjo një nga pikat kryesore, ose kanë qene në pritje të momentit për bërjen e vaksinës”, thotë Esmeralda Meta, mjeke infeksioniste në Qendrën Spitalore Universitare.

Këtë periudhë mjekët e spitalit Covid nuk kanë konstatuar simptoma të ndryshme që mund të ngrenë dyshime për praninë e variantit “Delta”. Megjithatë, Meta thotë se jemi të rrezikuar, ndaj bën thirrje për kujdes dhe respektim të masave. “Nga ana klinike nuk ka diferenca. Stina e verës sjellë lëvizshmërinë e njerëzve dhe probabiliteti i hasjes së variantit “Delta” rritet. Prandaj i vëmë theksin vaksinimit”.

Edhe pse në spitalin Covid-1 janë ulur ndjeshëm shtrimet, ky shërbim do të mbetet në funksion të rasteve me koronavirus. Ndërsa pacientët që vuajnë nga sëmundjet infektive do të trajtohen në ambientet e ish-kirurgjisë në QSUT. “Jemi në javën e dytë që është hapur klinika ku ofrohet shërbimi për të gjitha sëmundjet e tjera infektive”, tregon Meta për A2.

Zyrtarisht nuk ka raste të konfirmuar me variantin indian “Delta”, ndërkohë që ekspertët kanë bërë thirrje për rritjen e vigjilencës dhe respektimin e masave nga ana e qytetarëve.