“Absolut 4”: SPAK në sulm, policia në reformë

bajramiiii 1100x620

“SPAK paralajmëroi rezultate për zyrtarët e lartë”, Bajrami: Të ndiqet shembulli i Rumanisë, 2 kryeministra shkuan në gjykatë

I ftuar në Absolut 4, ku u diskutua në lidhje me zhvillimet e fundit në vend dhe konkretisht mbi operacionin “Shpirti”, ku të përfshirë janë edhe prokurorë e ish-zyrtarë të policisë, gazetari Armand Bajrami u shpreh se kreu i SPAK, Arben Kraja, paralajmëroi rezultate edhe sa i takon zyrtarëve të lartë.

“Mesazhet kryesore që u dhanë nga zoti Kraja, duke rrëfyer faktin që në dy javë janë prangosur 2 prokurorë, njëkohësisht ai paralajmëroi sot se SPAK do të vepronte dhe shumë shpejt do të kemi rezultate edhe sa i takon zyrtarëve të lartë, edhe në aparatin qëndron të qeverisë, për abuzime me fondet publike. Uroj që rezultatet të kënaqin edhe pritshmëritë e publikut”, tha Bajrami.

Më tej, gazetari i A2 theksoi se SPAK duhet të ndjekë shembullin e strukturës së ngjashme në Rumani, e cila ka çuar në gjykatë dy kryeministra.

“Drejtuesi i Prokurorisë Antikorrupsion në Rumani dha shembullin e tij se një strukturë e ngjashme me SPAK, rezultatet nuk ngjasonin aspak. Ai e tha me krenari që kishin dërguar para gjykatës 2 kryeministra, 20 ministra, 80 deputetë dhe shumë kryetarë bashkish. Ky është një shembull konkret që mund ta ndjekë zoti Kraja”.

Operacioni “Shpirti”, Kasapi: Nëse bazohet vetëm te dëshmitarët e drejtësisë do të ketë pak të dënuar

Gazetari i kronikës Julian Kasapi u shfaq skeptik në lidhje me operacionin “Shpirti” që u zhvillua në Shqipëri, i cili u diskutua gjerësisht në emisionin Absolut 4 në A2.

Sipas Kasapit historitë e operacioneve me dëshmitarë të drejtësisë zakonisht në Shqipëri kanë dështuar dhe nëse ky i fundit është bazuar tek ata atëherë mund të përfundojë me 2 ose 3 të arrestuar.

“Operacioni është për t’u përshëndetur. Është i shtrirë në kohë që nga 2016. Një pjesë e personave janë arrestuar pasi janë dhe 2 operacione të tjera. Ajo që më bën përshtypje është se janë 4 bashkëpunëtorë. Këtu është bërë një histori qesharake me bashkëpunëtorët. Kemi parë që ata akuzojnë një palë dhe më pas kujtohen dhe thonë të kundërtën.

Kemi dhe rastin e një personi që po vuan dënimin në një burg të Italisë i cili ka kontaktuar dhe thotë se nuk është bashkëpunëtor i drejtësisë. Kjo historia më bashkëpunëtorët më duket e rrezikshme pasi presupozohet që prokuroria të ketë prova të pakontestuara për t’i çuar përpara drejtësisë. Në një kohë që kemi operacionin “Shpirti” dhe në planet e policisë shihen të sekuestruara vetëm një pistoletë dhe 60 mijë euro.  Kam dyshime për sa i përket bashkëpunëtorëve të drejtësisë pasi janë dhe 2 ish-shoqëruesit e ish-ministrit të Brendshëm. Nëse të gjithë këtë operacion e kanë udhëhequr bashkëpunëtorët e drejtësisë do të përfundojë me 2 ose 3 persona të arrestuar”, u shpreh Kasapi.

Sokol Bregu: Dy gjërat që më shqetësojnë nga operacioni “Shpirti”

Sokol Bregu, gazetar i kronikës së zezë tregoi në “Absolut 4”, cilat janë dy gjërat që e shqetësojnë nga operacioni “Shpirti”.

Sipas tij, gjyqtarët shqiptarë nuk kanë ditur asnjëherë të menaxhojnë kaq shumë të pandehur në një proces të vetëm gjyqësor. Po ashtu, Bregu ngriti shqetësimin që akuzat shkojnë direkt te kryeministri Edi Rama, ndërsa dënime ndaj elementëve kyç si prokurorë apo drejtorë policie anashkalohen.

“Unë jam i shqetësuar nga operacioni i fundit për dy gjëra. E para sepse nuk kam parë kurrë më parë, të përfundojë një proces gjyqësor të përfunfojë kur të pandehurit janë më shumë se 4, jo kaq shumë sa janë në këtë moment. Janë po këta prokurorë që kanë qenë më parë edhe në prokuroritë e rretheve, te krimet e rënda, në SPAK.

Nuk kanë patur ndonjëherë ndonjë rezultat të kënaqshëm kur ka shumë të proceduar penalisht. Mund ti referohemi të fundit fare “Volvos”, u arrestuan shumë vetë. Në fund fare nuk morëm vesh asnjë gjë çfarë u bë me këtë. Po të shkojmë akoma më në kohë është Gërdeci. Me aq shumë të pandehur, kemi dy të dënuar. Gjyqtarët shqiptarë nuk kanë ditur asnjëherë të menaxhojnë kaq shumë të pandehur në një proces të vetëm gjyqësor, ose hetim të prokurorisë.

E dyta, kjo është pak më shqetësuese, është historia sesi ne nuk kënaqemi dhe nuk i lëmë gjërat që të ecin sipas rrjedhës. Çfarë duam më?

Kemi një drejtor policie, i cili duhet të mbikëqyrte trafikun e drogës, një drejtues vendor, një prokuror, një shef policie tjetër në Fier, çfarë kërkojmë më nga një strukturë? Për ta ulur dh për të kërkuar dënimin ndaj këtyrë personave. Jo, steka shkon direkt dhe të gjithë akuzojnë kryeministrin Edi Rama. Në këtë mes, ashtu si edhe në histori të tjera, kur akuzat bëhen personale ndaj kryeministrit, çdo gjë shuhet. Jam 100% i bindur, që ata që kanë pushtet në këtë histori do t’ia hedhin paq. Media ose shoqëria në tërësi, të gjithë sot kërkojnë rihapjen e dosjes së Tahirit ose të çojnë si të pandehur kryeministrin.

Askush nuk kërkon, ky prokurori pse kaloi në arrest shtëpie se u kap në flagrancë, ky drejtori, i cili është strumbullari pse kaloi në arrest shtëpie. Nga arrest shtëpie do kalojë në detyrim paraqitje. Në fund fare do kemi një burgim në kohën e paraburgimit. Nuk do kemi një burgim real.”, u shpreh ai.

Kasapi: Niveli drejtues i policisë duhet të kalojë vetingun, njësoj si gjyqtarët dhe prokurorët

Gazetari Julian Kasapi deklaroi në “Absolut 4” se niveli drejtues i policisë, duhet të kalojë vetingun, njësoj si gjyqtarët dhe prokurorët.

Kasapi deklaroi se ka ende drejtues policie që nuk kanë kaluar ende vetingun dhe drejtojnë nëpër qarqe të ndryshme.

“Procesi i Vetingut duhet të përfundojë. Kemi drejtues policie që nuk kanë kaluar ende vetingun dhe drejtojnë nëpër qarqe e rrethe. Që të gjithë duhet të kalojnë vetingun.

Ashtu tha dhe ministri. E pyetëm ne si A2 CNN, sa i përket drejtuesve jo nivelit bazë. Niveli drejtues e rëndësishme është që pikë së pari të kalojë vetingun, siç po e kalojnë prokurorët dhe gjyqtarët. Edhe nga policia mund të ketë KÇK. E rëndësishme është që policisë herë pas herë ti jepet një impuls i ri. Një impuls i tillë, në bindjen time nuk i është dhënë aq sa duhet, pasi prisja më shumë. Nuk e di çfarë do ndodhe me komisariatet sepse puna në to është me specifike.

Krahas drejtuesve të rëndësishëm, i rëndësishëm është dhe hetimi i kriminalitetit sepse kemi mjaft qarqe problematike si Vlora, Durrësi, Elbasani. Të shohim çfarë do ndodhë me këto qarqe.”, u shpreh Kasapi.

Ligji për përgjimin nga policia, Ballanca: Kufizoheshin thellësisht të drejtat e qytetarëve

Nga sot asnjë komisar policie apo drejtues me gradë më të lartë nuk ka të drejtë të përgjojë askënd, siç ka ndodhur deri më tani, pasi cenojnë privatësinë dhe pavarësinë e gjyqësorit. Ky ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila pezulloi nenin 131 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, ligj ky i formuluar në vitin 2014 dhe që ka probleme të tjera, përveç këtij neni tashmë të shfuqizuar nga Kushtetuesja.

Për këtë vendim foli në Absolut 4, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, e cila u shpreh se ligji kufizonte thellësisht të drejtat e qytetarëve.

“Bëhej fjalë për një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm. Kushtetuta garanton për çdo qytetar respektimin e jetës private të tij, ky është rregulli i përgjithshëm. Veprimtaria e përgjimit lejohet vetëm me vendim të gjykatës.

Me ligjin e ri, policia mori një atribut, duke kufizuar thellësisht këto të drejta. Sipas ndryshimit që u bë, drejtori i policisë propozoi një term të ri, i cili është i njëjtë me përgjimin. Ata pretendojnë se këtë veprimtari do ta kryenin në kuadër të parandalimit të krimit.

Ligji rezultonte të ishte i paqartë se si do ta kuptonin qytetarët vendin publik apo vendin e hapur për publikun. Një tjetër element është se nuk parashikohej në ligj se sa kohë do të ruheshin këto të dhëna”, u shpreh Ballanca.

Pezullimi i ligjit për përgjimet, Sokol Bregu: Ka histori politike, mazhoranca pret nga Kushtetuesja shkarkimin e Metës

Në emisionin Absolut 4 në A2 u diskutua dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili pezulloi një nen të ligjit për Policinë e Shtetit që lejonte drejtuesit e lartë të policisë të përgjonin të dyshuarit.

Për gazetarin e kronikës Sokol Bregu, hartuesit e këtij ligji e kanë ditur fare mirë që ky nen ka qenë antikushtetues dhe nuk kanë dashur ta ndryshojnë.

Bregu shkon më larg dhe shton se mazhoranca qëllimisht e la këtë ligj që të shkonte në Kushtetuese. Sipas tij, Kushtetuesja po jep disa vendime kundër qeverisë në këto moment që edhe opozita të shijojë disa “fitore” deri sa të japë verdiktin që ajo dëshiron për shkarkimin e presidentit.

“Unë mendoj se që në momentin që e kanë hartuar ligjin e kanë ditur se ka qenë antikushtetues. Mendoj se e gjitha është një histori politike sepse po ta donin këtë përgjim, do të kishin përcaktuar qartë se cilët të akuzuar policia do të merrte në përgjim. Duhet të ishin kategorizuar ata që do merreshin në përgjim. Nuk mundet që një hajdut ta marrësh në përgjim. Mendoj që është një lojë më e stërhollë. Ata nuk kanë dashur ta rregullojnë këtë nen sepse mund ta bënin.

Kjo është një pikë që e kapi presidenti përpara pak kohësh. Ai iu kërkoi që ta riformulonin. Ata nuk e riformuluan, çështja shkoi në Gjykatë Kushtetuese. Pra kemi disa vendime të Gjykatës Kushtetuese që i shkojnë përkundër qeverisë në këto momente. Dhe në momentin që Kushtetuesja do t’i duhet për çështjen e presidentit Meta, atje do të fitojë parlamenti. Opozita do të fitojë një prej çështjeve të saj dhe qeveria do të fitojë atë që do”, tha gazetari Bregu.