Aksidentet nga bombolat, furnizimi vetëm në pika të certifikuara, shtohen rastet e qytetarëve me djegie

7 aksidente, të lidhura me bombolat e gazit janë raportuar brenda viti 2021 në vendin tonë. Rasti i fundit në Velipojë ishte edhe më i rëndi për nga përmasat e aksidentit.

Sipas Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, shumica e këtyre incidenteve ndodhin si pasojë e rrjedhjes së gazit nga pakujdesia e qytetarëve, pasi një bombolë nuk shpërthen nëse përreth saj nuk ka temperatura ekstremisht të larta.

Bombolat e kampingut dhe ato të pakolauduara, cilësohen si më të rrezikshmet për të shkaktuar aksidente.

Shpesh janë qytetarët të cilët në neglizhencë apo për të ulur kostot ekonomike përdorin bombola të vjetra dhe të pakontrolluara. 

Abuzime janë raportuar edhe të subjektet që tregtojnë gaz, ku brenda vitit janë mbyllur dy pika shpërndarëse.

Sipas mjekëve dermatologë ka një numër të lartë pacientësh të cilët paraqiten në pavione me djegie nga shpërthimi i gazit. Për çdo incident mjekët këshillojnë shuarjen e flakës me një rrobë të trashë e më pas duhet shpëlarë plaga me ujë të pastër e të rrjedhshëm.