“Do të ishte bukur nëse Wembley zhytet në heshtje…”

danimarka 1100x620

Trajneri i Danimarkës, Kasper Hjulmand, tha së është i lumtur që tifozët janë kthyer në stadiume dhe se në ndeshjen Angli-Danimarkë do të jenë plot 60 000 të tillë në Uembli, por theksoi se do të donte që gjysma e tyre të ishin danezë.

“Jemi shumë të lumtur që publiku është rikthyer. Kemi një vit pa tifozë dhe tani do të shohim 60 000 në stadium. Por, do të na pëlqente që gjysma e tyre të ishin danezë. Gjithsesi, duhet ta pranojmë atë që është vendosur. Do të jemi më të motivuar për të zhytur në heshtje një stadium të tërë. Do të ishte bukur sikur Wembley të mos pipëtinte”, deklaroi Hjulmand.

Nga ana e tij, sulmuesi Dolberg u shpreh i emocionuar që do të përballet me disa nga sulmuesit më të mirë në botë.

“Duhet të luajmë si skuadër dhe të japim maksimumin. Do të jetë emocionuese të përballem me disa nga sulmuesit më të mirë të botës. Do t’i kem përballë kësaj radhe, nuk ka nevojë t’i shikoj në YouTube”, tha Dolberg duke qeshur.