Golashënuesi i “Euro 2020”, Cristiano në avantazh ndaj Schick. Harry Kane shpreson

cr7 1100x620

Portugalia u eliminua nga “Euro 2020” prej fazës së 1/8, Cristiano Ronaldo nisi pushimet me familjen, e megjithatë luzitanët shpresojnë se mund të festojnë një trofe, të paktën në nivelin individual.

Për momentin, CR7 kryeson listën e golashënuesve të turneut, me 5 gola. Nëse klasifikimi do të qëndronte i pandryshuar edhe pas ndeshjeve gjysmëfinale dhe finales, Cristiano do të shpallej golashënuesi më i mirë i turneut.

Ai do të fitonte duelin me Patrick Schick, me çekun që gjithashtu ka shënuar 5 gola. Por, kapiteni i Portugalisë është i avantazhuar sepse përpos rrjetave të realizuara, ka dhënë edhe një asist.

UEFA u detyrua të sqaronte situatën, duke qenë se mungojnë vetëm tre ndeshje deri në fundin e Kampionatit Europian. Megjithatë, gara ende nuk mund të quhet e përfunduar. Harry Kane është ngjitur në kuotën e tre golave dhe në dy ndeshjet e fundit me Anglinë do të ketë shansin që të synojë trofeun e rëndësishëm individual.

Gjithashtu, në garë janë edhe Sterling dhe Dolberg, që gjithashtu kanë shënuar tre herë në këtë edicion dhe kanë shansin që me paraqitje të mëdha të kalojnë dyshen Ronaldo-Schick.