HEC i Skavicës, firmoset kontrata për fazën e parë, Balluku: Rritet prodhimi, minimizohen përmbytjet

belinda 1100x620

Nënshkruhet kontrata për fazën e parë, mes kompanisë Bechtel dhe KESH, për projektin e HEC Skavicës. E pranishme edhe ministrja Belinda Balluku.

Është nënshkruar sot  kontrata për fazën e parë për projektin e HEC Skavicës mes kompanisë Bechtel dhe KESH. Në fjalën e saj ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku theksoi  se faza e parë është 18 muaj dhe përfshin të gjithë punën përgatitore dhe  studimet.

“Faza e parë përfshin punën përgatitore të gjitha studimet; ambiental, gjeologjik, teknik dhe deri në përfundimin e kësaj faze. Kemi 18 muaj në dispozicion për fazën e parë dhe më pas brenda këtyre muajve do t’ia dalim të propozojmë një produkt të mirë për të kaluar në fazën e dytë atë të firmosjes së kontratës për ndërtimin e Skavicës”.

Balluku theksoi se hidrocentrali i Skavicës do të rrisë kapacitetet prodhuese, do të luajë roline rregullatorit për hidrocentralet e tjera ekzistuese dhe do të minimizojë përmbytjet në zonën e Nënshkodrës.

“Skavica është ndryshe nga HEC e tjerë të Kaskadës së Drinit se do luajë rolin e rregullatorit për hidrocentralet ekzistuese, do të rrisë prodhimin e energjisë dhe do të rrisë kapacitetet prodhuese të HEC-eve në kaskadën e Drinit. Minimizimi i përmbytjeve në fushën e Nënshkodrës, ajo që do të ndjejmë menjëherë do të jetë minimizimi i përmbytjeve. Që në fillimet tona kemi qenë të qartë dhe ata e kanë mirëkuptuar shqetësimin tonë sa i përket impaktit social në zonë. Bechtel është një nga kompanitë që di të menaxhojë raportet me grupet e interesit dhe jemi besimplotë që gjithçka do të zgjidhet në të mirë të banorëve të zonës dhe qytetarëve të Shqipërisë sa i përket sistemit elektroenergjetik të Shqipërisë”.

Të njëjtin mendim ndau edhe përfaqësuesi i palës amerikane, i cili e quajti një projekt historik dhe të rëndësishëm për Shqipërinë.

“Ne të Bechtel jemi të kënaqur që po punojmë me këtë projekt historik. 210 megavat energji e shtuar dhe kontrollin e përmbytjeve sezonale. Ne do fillojmë punën për të mbështetur këtë projekt. Kjo përfshin hetim dhe studim gjeoteknik dhe përfundimin. Mezi presim të punojmë me Kesh në mbështetje të popullatës shqiptare dhe përftim maksimal ekonomik”.