Itali-Spanjë, vetëm 6400 bileta për secilën prej tifozerive në Wembley

WEMBLEY KUFIZIMET PER TIFOZET E HUAJ.duplicate frame 399 1100x620

Vetëm diçka më pak se 13 mijë tifozë do të mund të ndjekin gjysmëfinalen e parë të kampionatit Europian mes Italisë dhe Spanjës në Wembley. UEFA ka bërë me dije se tifozeritë e të dyja skuadrave nuk do të kenë në dispozicion më shumë se 6400 bileta secila për shkak të kufizimeve sa i përket aktiviteteve ndërkombëtare në Britaninë e Madhe.

Në ndeshjen që vlen finalen e Euro 2020, do të jenë prezent vetëm ata italianë apo spanjollë që jetojnë në ishull ndërkohë që Wembly do të jetë i hapur për 60 mijë britanikë, thënë ndryshe, do të shfrytëzohet deri në 75% e kapacitetit.

Për shkak se numri i vendeve për këto dy tifozeri do të jetë i ulët, UEFA ka vendosur një çmim special për të ndjekur nga pranë spektaklin, për vetëm 85 euro. Nëpërmjet një e-mail nga federatat përkatëse, personat që kanë siguruar një biletë janë informuar edhe për rregullat që duhet të ndjekin për praninë e tyre në stadium.

Aksesi në Wembley do të jetë i mundur vetëm për personat që do të disponojnë një test negativ të kryer 48 orë përpara nisjes së ndeshjes ose për ata që janë vaksinuar prej 14 ditësh. Tifozëve u sugjerohet edhe mbajtja e maskës, por një kërkesë e tillë vështirë se do të merret në konsideratë, të paktën nga ajo që është shfaqur në shkallët e stadiumeve deri në këtë fazë të Europianit.