“Kur e arrestuam, po qeshte sikur po shkonte me pushime”

Bashkëshorti grek i Caroline Crouch qeshi kur policia e arrestoi për vrasjen e saj. Piloti Charalambos “Babis” Anagnostopoulos kishte inskenuar një grabitje të dhunshme, por më pas pranoi se ishte ai vrasësi i 20-vjeçares, në sytë e vajzës 1-vjeçare të çiftit.

Kapiteni Dimitris Anthimos tha për protothema.gr: “Nuk kam parë ndonjëherë aktor më të mirë se ai. Ai po qeshte kur e arrestuam, a thua se po e dërgonim me pushime”.

Policia greke ka dyshime se Charalambos Anagnostopoulos mund të ketë qenë transportues droge i karteleve dhe e mbyti Caroline Crouch kur kjo e fundit e zbuloi.

Ky dyshim ka lindur pasi hetimet mbi të ardhurat e grekut treguan se ai bënte një jetë luksoze, pavarësisht se paga si pilot nuk ishte edhe aq e lartë.

Hetuesit zbuluan se çifti kishte blerë kohët e fundit një tokë me vlerë rreth 60 000 euro, një shtëpi mbi 150 000 euro dhe sapo kishin kaluar pushime luksoze në Dubai.

Sipas policisë greke, Charalambos Anagnostopoulos, që njihet me emrin Babis, ka pasur një burim tjetër të ardhurash dhe e vrau gruan e tij 20-vjeçare kur ajo e mori vesh se nga vinin paratë.

Babis e mbyti me jastëk bashkëshorten e tij më 11 maj, në sytë e vajzës së tyre 11-muajshe.