Lufta kundër korrupsionit, Kraja i SPAK “fut në ethe” zyrtarët që kanë abuzuar me fondet publike

Pas arrestimit në pak ditë të dy prokurorëve për “korrupsion” dhe hetimin ndaj një të treti në “arrest shtëpie” për “shpërdorim të detyrës”, “gjahu” i radhës i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion janë zyrtarë që kanë abuzuar me fondet publike.

Paralajmërimi u bë nga kreu i SPAK, Arben Kraja, gjatë një konference mbi luftën ndaj korrupsionit

“Kërkohet më shumë të kemi produkt në raport me evidentimin e shkeljeve në përdorimin e fondeve publike në nivel lokal apo qendror. Kuptohet që bëhet fjalë për zyrtarë të përfshirë në përdorimin e fondeve që në mënyrë abuzive shkelin ligjin. Kjo është një përparësi e jona padiskutim e cila është duke u vlerësuar përditë dhe shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete”, tha Kraja.

Kryediplomati i BE në Tiranë tha se SPAK po tregon rezultate, por sipas tij, ndonëse ka përmirësim, Shqipëria nuk ka arritur aty ku duhet.

 “Në vitet e shkuara, as mund të mendohej që Prokurori i Përgjithshëm të dërgohej në gjykatë, ndërkohë që në maj ishte Gjykata e Shkallës së Parë, që e ndëshkoi. Kemi parë magjistratë të tjerë që janë arrestuar dhe po ndiqen penalisht për krime të rënda. Në duhet që të shikojmë dy gjëra të rëndësishme, dënime në gjykata, por edhe konfiskime përfundimtare të pasurive. Duhet që të ketë figura publike të nivelit të lartë, që të dënohet, pasi kjo do të ndryshojë gjithçka.  Duhet kuptuar që këta zyrtarë të jenë pas hekurave. Duhet të kuptojnë që nuk janë mbi ligjin, as politikë, gjyqtarë e prokurorë”, u shpreh Soreca.

Rezultatet e deritanishme të SPAK nuk i ngjanin shifrave të prezantuara nga kryeprokurori Kombëtar Kundër Korrupsionit i Rumanisë, Crin Bologa, i cili tha se struktura që drejtonte kishte dërguar në gjykatë 2 kryeministra, mbi 20 ministra, mbi 80 deputetë dhe dhjetëra kryetarë bashkish.