Marine Le Pen rizgjidhet në krye të së djathtës ekstreme në Francë

le pen 1100x620

Pa asnjë kandidat kundërshtar në garë Marine Le Pen është rizgjedhur në krye të partisë franceze të ekstremit të djathtë, Rassemblement National.

Pas zhgënjimeve të fundit në zgjedhjet rajonale, Le Pen shpreson të rikthejë vrullin e partisë përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

Ajo u rizgjodh me më shumë se 98 për qind të votave dhe pasi u shpall rezultati, Le Pen shpalosi planet e saj për të ardhmen.

“Një dekadë pasi u zgjodha si kryetare RN nuk mund të mos pranoj se në një botë në përmbysje totale, midis rrënojave të rendit antik, në një peizazh politik gjithnjë në ndryshim, ku gjithçka është e pasigurt dhe vihet në dyshim, ne kemi arritur për të afirmuar veten si një qendër e besueshmërisë, stabilitetit dhe besoj, e besimit për miliona bashkatdhetarë tanë”.

Le Pen mori urime dhe lavdërime në Twitter nga organizata dhe individë të tjerë të ekstremit të djathtë, përfshirë Katalin Novak të partisë Fidesz të Hungarisë dhe grupit nacionalist italian Fratelli D’Italia.

Kjo vjen ndërsa partitë e djathta ekstreme evropiane ranë dakord të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët që synon reformimin e Evropës. Nënshkruesit përfshijnë Matteo Salvini të Italisë dhe Viktor Orban të Hungarisë si dhe Marine Le Pen.

Ata synojnë të krijojnë një aleancë të madhe në Parlamentin Evropian.

Le Pen pretendoi se BE po bëhej gjithnjë e më shumë një mjet i forcave radikale që donin të krijonin një super shtet që do të shkatërronte traditat evropiane dhe parimet morale.