“Mos u bej statistikë”, policia pezullon 41 leje drejtimi në 24 orë

policia rrugore 1100x620

Policia Rrugore ka bërë të ditur se në 24 orë ka pezulluar 41 leje drejtimi nga të cilat 29 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 12 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Po ashtu janë ndëshkuar me masë administrative, për parakalime të gabuara dhe manovra të rrezikshme në rrugë, 113 drejtues mjetesh, të cilët nuk kanë qëndruar në radhë për shkak të fluksit të madh të automjeteve që ktheheshin nga zonat bregdetare, kryesisht gjatë orëve të pasdites së datës 04.07.2021.

“Po gjatë 24 orëve të fundit, nga kontrollet e kryera nga Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore në DVP Tiranë dhe me Sektorët e Policisë Rrugore në 11 Drejtoritë Vendore të Policisë, në akset rrugore nacionale dhe në qendrat urbane, si rezultat i përdorimit të radarëve, dragerave dhe kamerave janë arrestuar në flagrancë 9 drejtues mjetesh, nga të cilët 5 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 4 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjithashtu  janë ndëshkuar me masë administrative 2456 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për parakalime të gabuara, shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosrespektim të semaforit, mospërdorim të kaskës mbrojtëse, mosvendosje të rripit të sigurimit, si dhe për mosrregullim shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në rrugë.

Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri”, thuhet në njoftimin e policisë, i cili mbyllet me hashtagun #MosUbejStatistike.