Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Ndryshimet në polici, kush janë drejtuesit e rinj në qarqet problematike

Nga A2 CNN
5 Korrik 2021, 10:04 | Aktualitet
Ndryshimet në polici, kush janë drejtuesit e rinj në qarqet

Ngjarjet kriminale në vend, shumica prej tyre ende të pazbardhura, sollën dhe ndryshimet në radhët e policisë, duke bërë që një pjesë e qarqeve problematike të ndryshojnë tërësisht sa i përket drejtimit të tyre.

Lëvizjet u bënë të ditura nga Policia e Shtetit, ku ndryshime ka pasur në 10 drejtori vendore, përjashtuar Tiranën dhe Gjirokastrën. Ajo që bie në sy është largimi i Niko Brahimajt nga drejtimi i Shkodrës dhe emërimi në Policinë Shkencore. Vendin e Brahimajt në Shkodër e merr Skënder Hita, i cili më parë ka mbajtur postin e zv/drejtorit në këtë qark.

Dhimitraq Ziu, nga kreu i Rendit në Policinë e Tiranës, shkon në radhët e Policisë Rrugore, ndërsa Elbasani do të drejtohet nga Gjovalin Loka. Vendin e tij në Policinë e Shtetit e merr Neritan Nallbati, më parë drejtor i Policisë së Beratit.

Një tjetër ndryshim i cili pritet të ketë efekt në parandalimin e krimit është dhe transferimi i shefit të komisariatit nr.2 në Tiranë, Olton Bistri, në Drejtorinë e Policisë së Vlorës.

Ardian Çipa, deri tani në Akademinë e Sigurisë, transferohet dhe emërohet drejtor i Policisë Korçë.

Këto lëvizje ishin parashikuar që të ndodhnin në muajin shtator, por ngjarjet e fundit kriminale përshpejtuan procesin e paralajmëruar dhe nga ministri i Brendshëm. Një javë më parë, Bledi Çuçi tha se ristrukturimi i policisë do të prekë dhe komisariatet.

Njoftimi i Policisë

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër Skënder Hita transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier Bledar Çeliku transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.

Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë Ferdinant Mara transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

Gjovalin Loka ish-Drejtori i Departamentit për Sigurinë emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës Lorenc Shehu transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.

Shefi i Komisariatit të Policisë Nr 2 në Tiranë Oltion Bistri transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

Ardian Çipa deri tani në Akademinë e Sigurisë transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.

Hamdi Fjore deri tani zv.dr i DVP Korçë  transferohet dhe emërohet drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës.

Edmond Tarkaj deri tani drejtor i Policisë Rrugore, transferohet dhe emërohet drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.

Dhimitraq Ziu deri tani zv.drejtor për sigurinë në DVP Tiranë , transferohet dhe emërohet Drejtor i Policisë Rrugore.

Luigj Vathi drejtor i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë  deri tani  transferohet dhe emërohet Zv.drejtor për sigurinë ne DVP Tiranë.

Neritan Nallbati deri tani drejtor i DVP Berat transferohet dhe emërohet Drejtor i Departamentit për Sigurinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë  së Shtetit.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Niko Brahimaj transferohet dhe emërohet Drejtor i Institutit të  Policisë  Shkencore.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se është tërësisht e angazhuar  për të luftuar maksimalisht krimin e organizuar dhe për të krijuar një ambient sa më të sigurt për qytetarët.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani