Ndryshimet në polici, qarqet problematike dhe kush janë drejtuesit e rinj?

policia e shtetit logo ndryshime levizje ne polici  1100x620

Ngjarjet kriminale në vend, shumica prej tyre ende të pazbardhura, sollën dhe ndryshimet në radhët e policisë duke bërë që një pjesë e qarqeve problematike të ndryshojnë tërësisht sa i përket drejtimit të tyre.

Lëvizjet u bënë të ditura nga Policia e Shtetit ku ndryshime ka pasur në 10 drejtori vendore përjashtuar Tiranën dhe Gjirokastrën.

Ajo që bie në sy është largimi i Niko Brahimajt nga drejtimi i Shkodrës dhe emërimi në Policinë Shkencore.

Vendin e Brahimajt në Shkodër e merr Skënder Hita, i cili më parë ka mbajtur postin e zëvendësdrejtorit në këtë qark. Dhimitraq Ziu, nga kreu i rendit në Policinë e Tiranës, shkon në radhët e Policisë Rrugore, ndërsa Elbasani do të drejtohet nga Gjovalin Loka.

Vendin e tij në Policinë e Shtetit e merr Neritan Nallbati, më parë drejtor i Policisë së Beratit. Një tjetër ndryshim i cili pritet të ketë efekt në parandalimin e krimit është dhe transferimi i shefit të komisariatit numër 2 në Tiranë, Olton Bistri, në drejtorinë e Policisë së Vlorës. Ardian Çipa, deri tani në Akademinë e Sigurisë, transferohet dhe emërohet Drejtor i Policisë Korçë.

Këto lëvizje ishin parashikuar që të ndodhin në muajin shtator, por ngjarjet e fundit kriminale përshpejtuan procesin e paralajmëruar dhe nga ministri i Brendshëm. Një javë më parë, Bledi Çuçi tha se ristrukturimi i policisë do të prekë dhe komisariatet.