Operacioni “Shpirti”, Kasapi: Nëse bazohet vetëm te dëshmitarët e drejtësisë do të ketë pak të dënuar

Gazetari i kronikës Julian Kasapi u shfaq skeptik në lidhje me operacionin “Shpirti” që u zhvillua në Shqipëri, i cili u diskutua gjerësisht në emisionin Absolut 4 në A2.

Sipas Kasapit historitë e operacioneve me dëshmitarë të drejtësisë zakonisht në Shqipëri kanë dështuar dhe nëse ky i fundit është bazuar tek ata atëherë mund të përfundojë me 2 ose 3 të arrestuar.

“Operacioni është për t’u përshëndetur. Është i shtrirë në kohë që nga 2016. Një pjesë e personave janë arrestuar pasi janë dhe 2 operacione të tjera. Ajo që më bën përshtypje është se janë 4 bashkëpunëtorë. Këtu është bërë një histori qesharake me bashkëpunëtorët. Kemi parë që ata akuzojnë një palë dhe më pas kujtohen dhe thonë të kundërtën.

Kemi dhe rastin e një personi që po vuan dënimin në një burg të Italisë i cili ka kontaktuar dhe thotë se nuk është bashkëpunëtor i drejtësisë. Kjo historia më bashkëpunëtorët më duket e rrezikshme pasi presupozohet që prokuroria të ketë prova të pakontestuara për t’i çuar përpara drejtësisë. Në një kohë që kemi operacionin “Shpirti” dhe në planet e policisë shihen të sekuestruara vetëm një pistoletë dhe 60 mijë euro.  Kam dyshime për sa i përket bashkëpunëtorëve të drejtësisë pasi janë dhe 2 ish-shoqëruesit e ish-ministrit të Brendshëm. Nëse të gjithë këtë operacion e kanë udhëhequr bashkëpunëtorët e drejtësisë do të përfundojë me 2 ose 3 persona të arrestuar”, u shpreh Kasapi.