Pezullimi i ligjit për përgjimet, Sokol Bregu: Ka histori politike, mazhoranca pret nga Kushtetuesja shkarkimin e Metës

Në emisionin Absolut 4 në A2 u diskutua dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili pezulloi një nen të ligjit për Policinë e Shtetit që lejonte drejtuesit e lartë të policisë të përgjonin të dyshuarit.

Për gazetarin e kronikës Sokol Bregu, hartuesit e këtij ligji e kanë ditur fare mirë që ky nen ka qenë antikushtetues dhe nuk kanë dashur ta ndryshojnë.

Bregu shkon më larg dhe shton se mazhoranca qëllimisht e la këtë ligj që të shkonte në Kushtetuese. Sipas tij, Kushtetuesja po jep disa vendime kundër qeverisë në këto moment që edhe opozita të shijojë disa “fitore” deri sa të japë verdiktin që ajo dëshiron për shkarkimin e presidentit.

“Unë mendoj se që në momentin që e kanë hartuar ligjin e kanë ditur se ka qenë antikushtetues. Mendoj se e gjitha është një histori politike sepse po ta donin këtë përgjim, do të kishin përcaktuar qartë se cilët të akuzuar policia do të merrte në përgjim. Duhet të ishin kategorizuar ata që do merreshin në përgjim. Nuk mundet që një hajdut ta marrësh në përgjim. Mendoj që është një lojë më e stërhollë. Ata nuk kanë dashur ta rregullojnë këtë nen sepse mund ta bënin.

Kjo është një pikë që e kapi presidenti përpara pak kohësh. Ai iu kërkoi që ta riformulonin. Ata nuk e riformuluan, çështja shkoi në Gjykatë Kushtetuese. Pra kemi disa vendime të Gjykatës Kushtetuese që i shkojnë përkundër qeverisë në këto momente. Dhe në momentin që Kushtetuesja do t’i duhet për çështjen e presidentit Meta, atje do të fitojë parlamenti. Opozita do të fitojë një prej çështjeve të saj dhe qeveria do të fitojë atë që do”, tha gazetari Bregu.