Samiti i Berlinit, Vurmo: BE në ngërç të brendshëm, Ballkani Perëndimor të përqendrohet te reformat

“Sot po shohim se 5 vitet e deklaratës së Juncker u bënë dhe tani po shkojnë 10, mund të shkojnë edhe 15 vite. Patjetër që ne duhet të shohim edhe kontekstin më të gjerë, pasi BE është në një ngërç të brendshëm që e ka të vështirë për ta kaluar. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të shohin nga vetja e tyre për të vënë në zbatim reformat e nevojshme, të cilat do të prodhonin ato rezultate që do të merrnim edhe nga anëtarësi në BE”.

Kështu u shpreh i ftuar në Ditarin e mbrëmjes në A2 analisti Gjergji Vurmo teksa komentoi samitin e Berlinit, i cili u mbajt këtë të hënë, me pjesëmarrjen e fundit të Merkel me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Më tej, ai u shpreh se në njëfarë mënyre, samiti u mundua të zbusë atë goditje që politika e zgjerimit dha për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sa i përket tregut të përbashkët rajonal, Vurmo u shpreh se nuk është kaq e lehtë të ndodhë. “Nuk është kaq i lehtë krijimi i tregut të përbashkët rajon, pasi kërkon shumë më shumë investime dhe tejkalimin e disa ngërçeve që për momentin po i pengojnë shtetet e rajonit për të ecur përpara”, tha Vurmo.