“SPAK paralajmëroi rezultate për zyrtarët e lartë”, Bajrami: Të ndiqet shembulli i Rumanisë, 2 kryeministra shkuan në gjykatë

I ftuar në Absolut 4, ku u diskutua në lidhje me zhvillimet e fundit në vend dhe konkretisht mbi operacionin “Shpirti”, ku të përfshirë janë edhe prokurorë e ish-zyrtarë të policisë, gazetari Armand Bajrami u shpreh se kreu i SPAK, Arben Kraja, paralajmëroi rezultate edhe sa i takon zyrtarëve të lartë.

“Mesazhet kryesore që u dhanë nga zoti Kraja, duke rrëfyer faktin që në dy javë janë prangosur 2 prokurorë, njëkohësisht ai paralajmëroi sot se SPAK do të vepronte dhe shumë shpejt do të kemi rezultate edhe sa i takon zyrtarëve të lartë, edhe në aparatin qëndron të qeverisë, për abuzime me fondet publike. Uroj që rezultatet të kënaqin edhe pritshmëritë e publikut”, tha Bajrami.

Më tej, gazetari i A2 theksoi se SPAK duhet të ndjekë shembullin e strukturës së ngjashme në Rumani, e cila ka çuar në gjykatë dy kryeministra.

“Drejtuesi i Prokurorisë Antikorrupsion në Rumani dha shembullin e tij se një strukturë e ngjashme me SPAK, rezultatet nuk ngjasonin aspak. Ai e tha me krenari që kishin dërguar para gjykatës 2 kryeministra, 20 ministra, 80 deputetë dhe shumë kryetarë bashkish. Ky është një shembull konkret që mund ta ndjekë zoti Kraja”.