Vendosja e bustit të Skënderbeut në Budapest, Meta krah Kryemadhit: Lidhjet mes dy popujve, legjendare

meta mona 1100x620

Presidenti Ilir Meta i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi ka marrë pjesë në ceremoninë e vendosjes së përmendores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Budapest. Në fjalën e tij, kreu i shtetit shqiptar u shpreh se rrënjët e miqësisë midis dy popujve gjenden në lidhjet legjendare të Kastriotit dhe të Huniadit.

Rrënjët e miqësisë midis dy popujve tanë gjenden në lidhjet legjendare dhe aleancën strategjike të Heroit tonë Kombëtar me Prijësin ushtarak dhe drejtuesin e spikatur të Hungarisë dhe të mbarë Europës Qendrore, Janosh Huniadi, të dy mburoja të vlerave dhe të traditave të qytetërimit, por edhe të identitetit tonë europian.

Më tej, kreu i shtetit thekson se ashtu si në kohën e tyre Hungaria mbetet një mbështetëse e palëkundur e integrimit europian të Shqipërisë dhe ne i jemi thellësisht mirënjohës.

“Ashtu si në kohën e aleancës së Kastriotit dhe të Huniadit, Hungaria mbetet një mbështetëse e palëkundur e integrimit europian të Shqipërisë dhe ne i jemi thellësisht mirënjohës.

Jam i bindur se fryma e miqësisë dhe e bashkëpunimit të shkëlqyer tradicional historik midis dy vendeve dhe popujve tanë do të forcohet pa u ndalur në të ardhmen. Krenarë që vitin që vjen do të kremtojmë së bashku 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona”.