Tri ndeshjet e fundit të Kampionatit Europian të futbollit që u zhvillua këtë vit në disa qytete të kontinentit, do të luhen në “Wembley” të Londrës.
Por ndërsa anglezët kanë shijuar më shumë se kushdo tjetër skuadrën e tyre kombëtare, dhe presin që përveç sfidës të së mërkurës kundër Danimarkës të shohin edhe finalen e madhe të dielën, shumë kritikë thonë se përveç futbollit, në shtëpi do të kthehet edhe koronavirusi, duke ironizuar me shprehjen “football is comming home”, aq shumë të përdorur nga vendasit.
Në ndeshjet gjysmëfinale do të lejohen në stadium më shumë se 60 mijë tifozë, shumica vendas. Por edhe pse ata duhet të ndjekin rregulla strikte, rritja e rasteve me koronavirus në Angli ka hedhur dyshime mbi këtë vendim të UEFA-s dhe autoriteteve britanike të shëndetësisë.
Të enjten e kaluar, në Mbretërinë e Bashkuar u raportuan gati 28 mijë raste të reja ditore, numri më i lartë nga janari. Edhe numri i shtrimeve në spital është rritur me 55% nga java e kaluar, tha të shtunën Shoqata Britanike e Mjekëve. Megjithatë, shifra e vdekjeve mbetet e ulët, vetëm 18 viktima të shtunën e kaluar, kur në janar kjo shifër arrinte deri në 1245 vdekje në ditë. Rritje të rasteve – me gati 10% – ka pasur edhe në vende të tjera të Europës, Azisë Qendrore dhe Lindjes së Mesme.
Franca, Italia, por edhe shtete të tjera i kanë bërë thirrje UEFA-s të ndryshojë vendimin për luajtjen e 3 ndeshjeve të fundit të Europianit në “Wembley”, por përgjigja ishte negative. Këshilltari mjekësor i Euro 2020, Dr. Daniel Koch, tha se rritja e rasteve mund të jetë e lidhur me grumbullimet e tifozëve. Ndërsa, Catherine Smallwood, zyrtare e lartë e OBSH tha se duhet parë përtej kësaj. “Duhen vlerësuar edhe faktorë të tjerë, si rruga që kanë ndjekur tifozët, mjetet e transportit që kanë përdorur, e shumë të tjera”.
Javën e kaluar, Instituti i Shëndetësisë dhe Mirëqenies në Finlandë tha se rastet me koronavirus në vend ishin dyfishuar brenda një jave, kryesisht për shkak të tifozëve që ktheheshin nga Rusia, ku Finlanda luajti një ndeshje kundër vendasve më 16 qershor në Shën Pjetërburg. Vetë Rusia po vuan një nga periudhat më të rënda të pandemisë, me rritje rastesh dhe vdekjesh.
Në Skoci, gjithashtu autoritetet lidhën 2000 raste me Covid-19 me tifozët që kishin ndjekur ndeshjen kundër Anglisë më 18 qershor. Shifrat janë shqetësuese, por vetëm koha do të tregojë çfarë do të ndodhë.