Arrestimi i kryebashkiakut, Kalemaj: Baronë lokalë me 3-4 mandate, konstituimi i BKH do të japë tjetër shtysë

“Janë disa baronë lokalë, të cilat kanë nga 3 apo 4 mandate dhe sa më gjatë të qëndrosh në pushtet aq më të mëdha janë shanset që të korruptohesh dhe korruptosh. Ka ardhur koha që të ketë një motor, një lëvizje në këtë drejtim”.

Kështu u shpreh në Absolut 4 analisti Ilir Kalemaj teksa komentoi arrestimin e kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Më tej, ai theksoi se duhet të bëhet kujdes në mënyrë që në gjykatë të shkohet me evidenca të plota. “Deri tani kemi parë nga SPAK që është marrë me çështje të trafikut të kokainës dhe çështje të karakterit banal, tani po shohim çështje të korrupsionit. Duhet të kemi shumë kujdes në lidhje me paraqitjen e provave sepse rasti konkret është për shkelje të barazisë në tendera, një akuzë penale. Këtu është e vështirë të provohet korrupsioni dhe në momentin që kanë gjykuar që është më e arsyeshme që të paraqitet një çështje e kopsitur, që të parandalohet kryerja e veprave të tjera penale, duke qenë se Tushe është në detyrë. Nga ana tjetër duhet që para gjykatës të shkohet me evidenca të plota”.

Kalemaj u shpreh më tej se konstituimi i plotë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila kryen punën e fillestare, do të kemi një nxitje profesionale të hetimit në të gjitha shkallët, në mënyrë që kur çështja të shkojë para gjykatës të jetë e kopsitur. “E dyta që mund të bëhet në Shqipëri janë ligjet që targetojnë konspiracionin mafioz ku janë të përfshirë biznesi, mafia, politika. Nëse kjo do të ndodhte në Shqipëri atëherë do të plotësonte vakumet. Mendoj se këto janë hapat e duhur, por sërish ka shumë punë për të bërë”.