Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe ra në prangat e policisë, pasi akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Tushe u arrestua gjatë një operacioni të ndërmarrë me urdhër të SPAK, ku u arrestuan edhe 10 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bashkisë së Lushnjës, të cilët janë përfshirë në abuzime me tenderin e kanalizimeve në këtë qytet.
Mësohet se hetimi kishte nisur disa muaj më parë, ndërsa mes të arrestuarve janë Gazment Çela zv. drejtori i Ndërmarrjes së Pasurive Publike, si dhe Xhemal Hasko përgjegjësi ujit në Bashkinë Lushnjë. Në pranga ra edhe Flamur Peqini ish-kreu i inspektoratit të ndërtimit në Lushnjë.
Sipas të dhënave të Prokurorisë së Posaçme, vlera e tenderit është 24 milionë lekë, ndërsa policia vijon kontrollet dhe në zyrën e urbanistikës.
Më 31 dhjetor 2019, Tushe mbeti i plagosur në zyrë, pasi shoferi i tij, Gëzim Saraçi, pas një debati i hodhi një granatë.