Arrestimi i kryebashkiakut të Lushnjes, Braho: Qytetarët kërkojnë “peshqit e mëdhenj”, deputetë apo ministra

Juristi Ledio Braho, i ftuar në Absolut 4, komentoi arrestimin e kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Braho theksoi se nuk priste që të kishte menjëherë të tilla arrestime nga SPAK, ndërsa më pas u shpreh se publiku pret peshqit e mëdhenj, të cilat sipas tij, janë ministra apo deputetë.

“SPAK po merret me dosje që janë të një niveli të lartë korrupsioni dhe jo me oficerë policie apo mjekë. Po ashtu është e rëndësishme që të kujtojmë që SPAK nuk është më i mbingarkuar edhe për dosjet e OFL. Duke u nisur nga deklaratat e fundit të Yuri Kim apo edhe të kreut të SPAK, edhe BKH është kthyer funksionale, SPAK ka 13 prokurorë, pritshmëritë janë shumë të larta se në fillim.

Me thënë të drejtën, unë nuk kam qenë shumë optimist në fillim që SPAK që në muajt e parë do të fillonte arrestimet e peshqve të mëdhenj. Është normale që gjithë kjo kohë iu desh për të përgatitur një sërë dosjesh. Di që shumë kallëzime penale janë bërë nga opozita apo shoqëria civile dhe patjetër që pritet një rezultat.

Këto raste tregojnë që ka arrestime edhe të nivele të larta, por pritshmëritë, perceptimi i publikut, është që arrestimet të shkojnë në nivele ministrash, ish-ministrash apo deputetë, pasi peshqit e mëdhenj janë pikërisht ata”, u shpreh Braho.