Dakordësi vendore e ndërkombëtarëve, Kurti: Marrim vendime të rëndësishme në energjitikë

Kosova do të ketë një strategji energjitike të koordinuar mirë me aktorët vendorë dhe ndërkombëtarë. Kryeministri, Albin Kurti, synon që me këtë të rrisë standardet e jetesës për të gjithë qytetarët.

“Si shtet e si vend jemi në vitin kur pritet të merren vendime të rëndësishme në sektorin e energjisë, vendime të cilat do ta definojnë këtë sektor jo vetëm për 10 vitet e ardhshme, por edhe më tej se aq.”, u shpreh Kurti.

Kjo qasje e re do të ndihmojë ekonominë dhe shtojë vendet e punës.

“Meqë jemi në shërbim të qytetarëve, pritet që kjo strategji me implementim të krijojë vende të shumta pune, hapësirë për investime duke lehtësuar proceset, të aktivizojë shoqërinë përmes pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje si dhe të krijojë mundësi përfitimi për ta.”
Ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, rreshtoi disa nga sfidat me të cilat përballet vendi në sektorin energjitik.

“Për zhvillimin e një politike të qëndrueshme energjetike në vendin tonë, është qenësore që të identifikojmë skenarët e duhur për një tranzicion energjetik dhe analiza e tyre kritike duke u bazuar në përputhshmërinë, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji si dhe qëndrueshmërinë dhe përballueshmërinë financiare.”

Këto komente u bënë në eventin “Tranzicioni i drejtë energjetik në Kosovë”.