Efekti Covid-19 në punësim, më pak ofertë e kërkesë gjatë 2020

Paradoksalisht me efektet e prodhuara nga pandemia e Covid-19, gjatë vitit të shkuar u ul në mënyrë të ndjeshme numri i punëkërkuesve të regjistruar, i atyre që mundën të sigurojnë një punë dhe vendeve të lira të ofruara nga biznesi dhe sipërmarrja.

Krahasuar me vitet e para-krizës shëndetësore, 2019 dhe 2018, numri i vendeve të shpallura të punës gjatë vitit pandemik është të paktën-2 fish më i ulët, ndërsa numri i atyre që mundën të sigurojnë një vend pune është mbi 6 herë më i ulët.

 Në ulje ka qenë edhe numri i punëkërkuesve. Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, gjatë vitit 2020 u regjistruan si punëkërkues rreth 20 mijë persona, nga mbi 68 mijë në vitin 2019 dhe 64,781 në vitin 2018.

Ndryshimet strukturore në tregun e punës, të shkaktuara edhe nga Covid-19, janë një ndër arsyet e këtij fenomeni, ku kërkesat e shumë punëkërkuesve nuk përputhen me atë ç’ka bizneset dhe sipërmarrja ofron.

Biznesi dhe shoqëria civile kanë kërkuar që qeveria të ndihmojë punonjësit dhe sipërmarrjen që të përshtaten në kushtet e reja të krijuara në tregun e punës, pas pandemisë. Kjo nëpërmjet njohjes së shpenzimeve që bën biznesi për trajnimin e punonjësve si shpenzime të zbritshme, si dhe për subvencionimin e një pjese të këtyre kostove, një praktikë që ka nisur të zbatohet tashmë në disa vende të rajonit. Ministria e Financave ka pohuar se një kërkese e tillë do të pranohet dhe do të jetë pjesë e paketës fiskale të vitit të ardhshëm.