Firmoset marrëveshja për daljen e gazit në Fier, Rama: Investim strategjik për zhvillimin ekonomik

TAP 1100x620

Është nënshkruar sot në Fier në stacionin e Gazsjellësit TransAdriatik marrëveshja për ndërtimin e Pikës Fillestare Dalëse Shqiptare të gazit. Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama e cilësoi atë një investim strategjik që i hap rrugë zhvillimit të infrastrukturës kombëtare të gazit në rajonin jugor dhe zhvillimit ekonomik e social të vendit.

 “Ky investim do ta kthejë Shqipërinë në eksportues neto të energjisë dhe për ta bërë atë një hapësirë burimesh të ndryshme të prodhimit të energjisë duke futur edhe një komponent tjetër në jetën ekonomike të vendit të munguar siç është gazi. Është çështje vullneti e këmbëngulje, pune e durim për të përmbushur një vizion i cili nuk është më një dëshirë, apo aspiratë e mbështetur në një ëndërr, por horizont i arritshëm mbi baza të vendosura. Procesi i nisur i ndërveprimit për të siguruar një bashkëpunim të qëndrueshëm me një kompani të madhe amerikane është tregues kuptimplotë i faktit se TAP nuk është thjesht një rrugë kalimi e gazit për në anën tjetër të Adriatikut, por burim i zhvillimit ekonomik e social transformues i vendit për dekadat e ardhshme. Ky investim i ri strategjik i hap rrugë zhvillimit të infrastrukturës kombëtare të gazit në rajonin jugor, ndërkohë që po vijon puna për projektin e detajuar për tubacionin Fier – Vlorë, i cili do të lidhë gazsjellësin me TEC-in e Vlorës e me portën e re hyrëse që do të investohet nga gjiganti Exxon Mobile”.

Nga ana e saj, ministrja Balluku theksoi se TAP është një histori suksesi, por shtoi se sfidë është krijimi i burimeve të energjisë së kontrollueshme. Sipas saj, gazifikimi është një nga prioritetet e mandatit të tretë.

“Sfidë është krijimi i burimeve të energjisë të kontrollueshme që do të jenë në varësi të kohës, por do të jenë në kontrollin tonë me politikë dhe strategji të mirëfilltë. TAP është një gur kilometrik dhe faqe historie dhe histori suksesi ku të gjithë palët kanë arritur të kenë këtë produkt. Pas firmosjes së kësaj marrëveshjeje hapa të tjerë do të hidhen. Shqipëria ka bazuar të gjithë prodhimin mbi energjinë elektrike, por sipas kërkesave që ka tregu është e pamundur që bazohet vetëm tek energjia elektrike. Gazifikimi është një nga prioritetet e mandatit 3”.

Për menaxherin e kompanisë, Skipati pika e daljes së gazit në Fier është një pikë kthese për gazifikimin e Shqipërisë, që përforcon rolin e TAP në Ballkan.

“Pika e daljes së gazit është investim i madh, një pikë kthese për gazifikimin e Shqipërisë që do të mundësojë një lidhje mes TAP dhe infrastrukturës së ardhshme. Gazsjellësi është projekti më strategjik në Europë. Pika e daljes në Fier përforcon rolin e TAP në Ballkan jo vetëm si operator transmetimi, por edhe si partner aktiv në Europë. TAP dhe palët e interesit janë krenarë të kontribuojnë në të ardhmen energjetike të Shqipërisë dhe rrjetin e gazit europian. TAP mundëson diversifikimin dhe mundësinë e furnizimit dhe ofron mbështetje reale për burim të besueshëm të një energjie të pastër në Shqipëri dhe Europën Juglindore në të ardhmen e afërt”.