“Hemorragjia” e të rinjve, Kukësi me natyrë të pasur, por njerëz të varfër

Resurse të pashfrytëzuara, mungesa të theksuara investimi dhe orientimi nga institucionet shtetërore, kanë bërë që Kukësi të renditet ndër qarqet më të varfra në vend dhe natyrisht edhe me shkallën më të lartë të emigrimit, kryesisht të të rinjve të moshës 15-20 vjeç.

Është pikërisht ky brez që pavarësisht dëshirës që kanë për të punuar dhe kontribuar në qytetin e tyre, detyrohen të largohen.

 “Për një të ri si unë, që është i diplomuar në inxhinieri, për momentin është e pamundur të punësohesh në Kukës, bizneset e vetme që hapen janë kafe. Po të kishte një kompani që të ofronte turizëm malor, liqenor o diçka e tillë, do të ishte një shtysë për të qëndruar. Prandaj synimi është të punohet jashtë”, thotë disa të rinj.   

Lavdrim Shehu, aktivist i shoqërisë civile

Aktivistë të shoqërisë civile nuk ngurojnë ta cilësojnë si paradoks situatën ekonomike në Kukës, krahasuar me burimet dhe mundësitë që ofron vendi.

 “Kjo është paradoksale duke parë burimet natyrore të Kukësit. Nuk ka asnjë aktivitet në liqenin e Kukësit, është potencial i pashfrytëzuar”, thotë Lavdrim Shehu, aktivist i shoqërisë civile.  

Pikërisht mosshfrytëzimi i këtyre mundësive bën që aktualisht në Kukës mbi 90 për qind e të rinjve të kenë synim largimin jashtë vendit.

Rifat Demalija, Qendrës për Progres Rinor

 “Vala e madhe e emigracionit të të rinjve është shumë shqetësuese. Mosha nga 15 deri në 25 vjeç duan vetëm të largohen nga Kukësi”, thotë Rifat Demalija e qendrës për progres rinor.

Investimit për shfrytëzimin e resurseve, si dhe kthimi i vëmendjes në hapjen e aktiviteteve prodhuese, shikohen si mënyrat e vetme për të shpëtuar Kukësin, jo vetëm nga varfëria, por edhe nga hemorragjia që ka prekur të rinjtë.