Kadilli në Absolut 4: Të futet koncepti i deputetit apo ministrit hije

Ndër të tjera, në propozimet për ndryshime statutore të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli u shpreh në Absolut 4 se është e nevojshme që të futen konceptet e deputetit hije apo ministrave hije.

Kadilli theksoi se është e nevojshme që partia në opozitë të emërojë menjëherë sapo humbet zgjedhjet kandidat për deputet për zgjedhjet e ardhshme, po ashtu edhe ministrat e ardhshëm apo edhe kandidat për kryetar bashkie.

“Kryetari i partisë është zgjedhur dhe për mua duhet të shpalleshin menjëherë zgjedhjet për seksionet, degët dhe menjëherë pas tyre kandidaturat për deputet dhe kandidaturat për kryetar bashkie. Kemi 92 ZAZ dhe kemi 61 bashki. Që sot, deri në fund të vitit, unë do t’i kisha zgjedhur kandidatët për deputet edhe pse zgjedhjet i bie të mbahen në 2025, por kandidatët të jenë që sot, të shërbejnë si deputet hije. Futja e konceptit të deputetit hije, të kryetarit të bashkisë hije, të ministrit hije, e bën të vërtetë politikën, e bën konkrete. Ai që është ministër hije është përgjegjës për politikat e partisë në opozitë në raport me një fushë të caktuar”, u shpreh Kadilli.