Kishte premtuar 6 sakrifica çdo 6 muaj, shpallet fajtor adoleshenti që kishte bërë “pakt me djallin”

Një Gjykatë në Britaninë e Madhe shpalli fajtor për vrasje një adoleshent, i cili vrau dy motra me thikë pasi kishte “bërë pakt me djallin”.

19-vjeçari Danyal Hussein po gjykohet nga një gjykatë në Old Bailey për vrasjen e motrave Bibaa Henry dhe Nicole Smallman në qershorin e vitit të kaluar.

Trupat e dy femrave u gjetën të fshehura në shkurre, pranë një vendi të njohur ku bëhet piknik pasi po festonin ditëlindjen e Bibaa në parkun Fryent në Wembley.

Hussein dyshohet se ka përdorur gjakun e tij për të nënshkruar një marrëveshje me një “demon” të quajtur Lucifuge Rofocale, të cilit i ka premtuar sakrifikimin e disa femrave për të fituar lotarinë “Mega Millions”.

Në vijim të dëshmisë i riu tregon se në një marrëveshje tjetër ai i ka ofruar djallit gjakun e tij për të fituar “potencë seksuale” dhe dashurinë e një vajze që kishte në shkollë.

Hussein besonte se nëse sakrifikonte gjashtë gra çdo gjashtë muaj ai do të fitonte çmimin e parë në lojërat e bixhozit Mega Millions.

Ai kishte premtuar të bënte të paktën gjashtë sakrifica çdo gjashtë muaj për sa kohë që ai ishte i lirë dhe i aftë fizikisht, sipas policisë, synonte ta mbante atë premtim.