Koronavirusi në Shqipëri, 15 ditë pa asnjë viktimë, përgjysmohen rastet aktive

WhatsApp Image 2021 06 29 at 14.13.43 2 1100x620

Prej 15 ditësh tashmë, për fat të mirë Shqipëria nuk ka asnjë person që ka ndërruar jetë për shkak të koronavirusit, sipas shifrave të përditshme që vijnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Trendi më se pozitiv vijon prej më shumë kohësh, por që prej 22 qershorit numri i vdekjeve ditore ka mbetur 0.

Një tjetër shifër vërtet pozitive është ajo e rasteve aktive, që është përgjysmuar përgjatë dy javëve të fundit. Nëse në 22 qershor Ministria e Shëndetësisë raportonte për 100 raste aktive në vend, sot numërohen 55.

Por pavarësisht shifrave premtuese, ekspertët e shëndetësisë vazhdimisht këmbëngulin se pandeminë nuk e kemi lënë pas, por duhet bërë kujdes për shkak të varianteve, sidomos atij “Delta”, dhe shtimit të lëvizjeve për shkak të sezonit veror.