Merkel: Gjermania do të japë 3 milionë vaksina për Ballkanin Perëndimor

merkel 9 1100x620

Gjermania do të ndajë tre milionë doza të vaksinave kundër COVID-19 për vendet e Ballkanit Perëndimor. Deklarata u bë të hënën nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, në përfundim të takimit virtual me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

Merkel, tha se i sheh të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtare të ardhshme në Bashkimin Evropian për arsye strategjike.

“Është në interesin e Bashkimit Evropian që ta çojë përpara këtë proces”, tha zonja Merkel në një konferencë me gazetarët, pas përfundimit të takimit ku mblodhi për herë të fundit përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor, duke lënë të nënkuptohet se po flet për ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon, por pa i përmendur ato.

Kancelarja Merkel tha se gjatë takimit virtual, presidenti francez, Emmanuel Macron, kishte shprehur “shumë qartë” mbështetjen e tij për ardhmërinë evropiane të gjashtë vendeve të Ballkanit.

Në samit morën pjesë përfaqësues nga Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova, si dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.