Mungesa e krahut të punës, trajnimi i azilkërkuesve për të plotësuar boshllëkun

Dëshira e të rinjve për të rendur pas profesioneve të mirëpaguara, si dhe mundësitë që ofron tregu i punës jashtë vendit, ka krijuar mungesa në krah pune për sektorë apo zanate të ndryshme.

Koli Sinjari është Sekretari i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Zejtarisë dhe është në komunikim të vazhdueshëm me shoqata dhe grupe interesi të biznesit që shprehin vazhdimisht kërkesën për punëtorë të kualifikuar.

“Ka mungesë të fuqisë punëtore. Kohët e fundit kemi pasur kërkesë nga dy shoqata, ajo e furrave të bukës dhe ajo e turizmit, të cilët duan që të gjendet një mënyrë për të plotësuar tregun me krah pune”, shpjegon Koli Sinjari, Sekretari i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Zejtarisë.

Një mundësi e mirë për të mbuluar këto mungesa është integrimi i azilantëve të huaj në Shqipëri. Sinjari shprehet se kanë nisur kontaktet me institucionet e huaja për të mundësuar trajnimin e tyre dhe kalimin në tregun e punës.

“Me emigrantët që vijnë, qoftë në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme, të kualifikohen dhe trajnohen pasi të kalojnë procedurat, në mënyrë që të futen në tregun e punës. Ne kemi ndjekur nga afër si është punuar në Gjermani me emigrantët. Besoj nga vjeshta do të fillohet me grupet e para”, thotë Sinjari.

Vetëm pas rihapjes së ekonomisë pas karantinës, sektorë si ndërtimi, bujqësia dhe industritë prodhuese kanë deklaruar mungesën e krahut të punës. Më shumë zanate të tjera në nevojë, trajnimi i emigrantëve të huaj do të mundësonte edhe integrimin më të shpejtë të tyre në shoqëri.