Prioritetet e presidencës sllovene, Leyen: Të mbajmë premtimin e dhënë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Sllovenia prezantoi prioritetet për 6 muajt e ardhshëm të presidencës së Bashkimit Europian. Kryeministri, Janez Jansa, foli për një sërë çështjesh në Parlamentin Europian, por harroi zgjerimin. Por udhëheqësit e unionit ia rikujtuan atë.

“Shpresoj që me presidencën sllovene, ne do të jemi në gjendje të aktivizojmë procesimin e aderimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo është në interesin tonë, dhe një çështje besueshmërie, pasi për Europën, një premtim I dhënë duhet të mbahet.”, u shpreh Ursula Von Der Leyen.

Lufta ndaj Covid-19 ishte ndër prioritetet imediate.

“Prioriteti ynë I parë afatshkurtër është që të bëjmë ç’është e mundur për të parandaluar një valë të katërt, pasi ajo do të ndalonte sërish jetën në Europë. Ne duhet të sigurojmë që në gjashtë muajt e ardhshëm, ne të kthehemi ngadalë në normalitet, në kohët që kishim para përhapjes së pandemisë, pavarësisht se disa masa duhet të mbesin në fuqi edhe për pak kohë.”, u shpreh kryeministri slloven, Janez Jansa.

Natyrisht edhe rimëkëmbja ekonomike shihet me prioritet.

“Përballemi me një detyrë të rëndësishme, të sigurohemi që rimëkëmbja do të ndodhë, të sigurojmë që Bashkimit Europian të bëhet më rezistent dhe më I përgatitur për të përballuar kriza si pandemitë.”

Një tjetër porosi që mori presidenca sllovene kishte të bënte me sundimin e ligjit.

“Mënyra se si ne do ta lëmë pas këtë krizë lidhet me çështjen e besimit, që investitorët dhe bizneset mund të kenë në qeverisje të mirë, besim që ekzistojnë masa për të luftuar korrupsionin dhe mashtrimin, besim në media të lira dhe gjykata të pavarura.”, u shpreh Von Der Leyen.

Në sesionin plenar të Parlamentit Europian, kryeministri slloven kërkoi që të rritet niveli i vaksinimit ndaj Covid-19 në vendet anëtare.