Rrugëtimi politik i Tushes, nga kandidimi i parë te plagosja në 2019

Prej 14 vitesh, Fatos Tushe është një ndër elementet më të rëndësishme politike në qytetin e Lushnjës. Nën siglën e Partisë Socialiste, në vitin 2007, Tushe mori për herë të parë drejtimin e Bashkisë së Lushnjës, pozicion të cilin e braktisi 2 vite më pas, për të përfaqësuar zonën e tij elektorale si deputet në Parlament. 

Pasi ushtroi për dy vite funksionin e deputetit, Tushe iu rikthye sërish bashkisë, ku u rizgjodh kryetar në zgjedhjet e vitit 2011. Besimin e socialistëve dhe të lushnjarëve, Tushe e pati dhe në zgjedhjet e vitit 2015, si dhe ato të vitit 2019, ku u kandidua dhe rizgjodh si kryetar për një mandat të tretë e më pas të katërt. 

Tushe u bë i njohur përtej zonës së tij elektorale në dhjetor të vitit 2019, kur ai dhe sekretarja e tij u plagosën nga ish-shoferi i kryebashkiakut, Gëzim Saraçi, brenda mjediseve të bashkisë Lushnjë. Pas një sherri në mjediset e bashkisë, Saraçi hodhi granatë në zyrën e tij, duke plagosur Tushen. Partia Demokratike e cilësoi atëherë ngjarjen si “pasqyrë të drejtimit të vendit nga socialistët”, ndërsa e lidhi ish-shoferin e Tushes me trafikun e drogës dhe prostitucionit.

Por, pas rekuperimit, kreu i Bashkisë iu rikthye detyrës, të cilën e ushtroi i pashqetësuar deri në mëngjesin e 6 korrikut, kur policia e arrestoi në ambientet e Bashkisë që drejton prej 14 vitesh.