Tërhiqet Kuvendi, gazetarët do të lejohen në komisione, por pa kamera

Gazetarët nuk do të nxirren jashtë nga Kuvendi i Shqipërisë. Pas reagimit të përfaqësuesve të medias, Byroja e Kuvendit ka ndryshuar sërish rregulloren për akomodimin e masmedias duke hequr klauzolën që ndalonte pjesëmarrjen fizike të gazetarëve në punimet e Kuvendit.

Sipas ndryshimeve të miratuara në Byro, gazetarët do të kenë mundësi të futen fizikisht në mbledhjet e komisioneve parlamentare ku diskutohen dhe miratohen ligjet që prekin të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, ndonëse kamerat do të vijojnë të mbeten jashtë.

Përplasja ndërmjet Kuvendit dhe medias erdhi pas miratimit të disa ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit në kuadër të një projekti për transmetimin online të punimeve të Komisioneve Parlamentare. Në variantin fillestar u sanksionua se në mbledhjen e komisioneve nuk mund të kishte prani fizike të medias, por vetëm nëpërmjet syrit të kamerave të Kuvendit të cilat do të transmetonin pamjet në kohë reale online. Ky vendim solli reagime jo vetëm në komunitetin mediatik, por edhe atë ndërkombëtar, çka detyroi parlamentarët në fund të mandatit të heqin kufizimet që miratuan vetë.