Vaksinim i suksesshëm në Europë, varianti Delta rrit infektimet në shumë shtete

Europa dëshiron të lërë pas krahëve pandeminë. Lajmi i mirë është se fushata e vaksinimit po rezulton një sukses. Këtë e tha presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen e cila shtoi se përhapja e variantit Delta mbetet shqetësues dhe se shumë doza të vaksinave nuk po përdoren. 

 “Nuk duhet absolutisht të heqim dorë. Varianti Delta po përhapet me shpejtësi dhe shumë doza nuk po përdoren dhe mbeten në frigoriferë. Duhet të shtohen përpjekjet për të bindur europianët të vaksinohen. Vaksinimi nënkupton mbrojtje por edhe liri, dhe prova për këtë janë 250 milion europianë që kanë shkarkuar tashmë certifikatën e vaksinimit.”, u shpreh  Ursula Von Der Leyen, Presidente e KE.

Sakaq Gjermania njoftoi se do të shfuqizonte urdhërin e ndalimit të vizitorëvë nga Britania e Madhe, Portugalia , Rusia e India. Vizitorët që janë plotësisht të vaksinuar nuk do të karantinohen pas hyrjes në vend, ndërsa të pavaksinuarit do të mund të ndërpresin më herët izolimin 10 ditor nëse rezultojnë negative pas 5 ditësh.

Numri I rasteve me koronavirus në Spanjë është rritur, me më shumë se 32 mijë infektime të reja të njoftuara të hënën. Shumica e të infekturve janë të rinj e kjo ka nxitur disa rajone të kufizojnë jetën e natës, një javë pas lehtësimit të masave.

 Deri më tani vendi ka vaksinuar 40% të popullsisë së rritur, por tek të rinjtë niveli bie në 1 në 10 të vaksinuar. Alarmante situata mbetet në Rusi, ku në 24 orët e fundit u shënua shifra rekord prej 737 viktimash.

Sakaq, Izraeli, vend me mbulim të lartë vaksinash thotë se vaksina e Pfizer është 30% më pak efikase kundër variantit Delta. Megjithatë ajo mbron nga rastet serioze dhe shtrimi në spital.