Shuhet “ëndrra vikinge”, Angli-Itali, finalja e Kampionatit Europian

Angli-Itali është finalja e këtij Kampionati Europian. Në Wembley, mes vështirësive, anglezët arritën të mposhtin 2-1 Danimarkën pas 120 minutash.

Sfida nisi me lojë të hapur, nga anglezët natyrisht por edhe nga Danimarka që kishte paralajmëruar se nuk mbyllej në mbrojtje në pritje të kundërsulmeve.

Në minutën e 30 një gjuajtje spektakolare, por edhe një reagim jo i mirë i portierit Pickford sjellin golin e avantazhit për Danimarkën që realizon nga goditja standarde me Damsgaard. Epërsia e nordikëve zgjat vetëm 9 minuta.

Kane kombinon bukur me Saka që asiston Sterling në zonë, por topi përfundon në rrjetë nga kapiteni Kjaer, ndërsa nuk ja del ta largojë si duhet.

Pjesa e dytë vazhdon me anglezët që kërkojnë përmbysjen. Në të 55-n, Maguire gjuan me kokë, por portieri Schmeichel zgjatet në mënyrë spektakolare duke kryer një pritje që ka vlerën e golit. Në vazhdim, Anglia dominoi totalisht, por nuk arriti të shënojë golin e fitores dhe ndeshja shkoi në shtesë.

Harry Kane u bë heroi i anglezëve, i cili realizoi golin e dytë. Fillimisht gaboi nga pika e penalltisë, ndërsa pas pritjes së portierit Kane e dërgoi topin në rrjetë, duke çuar Anglinë në një finale kaq të rëndësishme për herë të parë pas 55 vitesh.

Më 11 korrik, ditën e diel, Anglia dhe Italia do të luftojnë për trofeun e kampiones së Europës, sërish në Wembley.