Brenda vilës super luksoze të Erdoganit

Një ndërtesë me 300 dhoma me rreth 90 mijë metra katrorë, e kompletuar me një pishinë, park dhe plazh me dalje private në det, është vila 60 milionë euroshe super luksoze që presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kishte ndërtuar për pushimet verore në Marmaris, një nga vendpushimet më ekskluzive në bregdetin jugor të Egjeut të Turqisë. Një pallat, i cili po ngjall kritika të forta në opinionin publik.

Pamjet e “Pallatit të Verës”, siç u riemërua duke evokuar të ashtuquajturin “Pallati i Bardhë” që kreu i shtetit kishte ndërtuar në kryeqytetin Ankara, u shpërndanë nga gazeta laike e opozitës Sozcu. Në pamjet e marra nga ajri të vendbanimit, të përfunduara në 2019, shihet edhe një pistë helikopterësh.

 Vala e indinjatës ishte shumë e fortë, për arsye të ndryshme, së pari për koston e tepërt në një periudhë të vështirësisë ekonomike dhe zhvlerësimin e lirës turke për shkak të pandemisë, por edhe për shpyllëzimet masive të zonës së nevojshme për zgjerimin e ndërtesës, në vendin ku tashmë ishte vendosur rezidenca verore e ish-presidentit Turgut Özal.