Forcimi i drejtësisë, Gjonaj: Vetëm nëpërmjet bashkëpunimit do të kemi sistem drejtësie të efektshëm

yuri kim 4 1100x620

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e pranishme në konferencën “Forcimi i drejtësisë nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të drejtësisë”, deklaroi se “sot nuk kemi thjesht ligjet e reja dhe arkitekturën e re të sistemit të drejtësisë, nuk kemi vetëm institucionet e reja, dhe njerëz të rinj të zgjedhur me procese transparente dhe të pandikuara politikisht në krye të këtyre institucioneve, por kemi një sistem të drejtësisë penale tërësisht të ndryshuar, në të cilën garantohen parimet dhe standardet e pavarësisë dhe paanësisë, transparencës dhe profesionalizmit”.

“Ngritja dhe funksionimi i Këshillit të Lartë të prokurorisë, të SPAK-ut, të emërimit të Prokurorit të përgjithshëm, janë rezultate të cilat janë shumë të vlerësuara si një hap i jashtëzakonshëm, aspak i lehtë që janë bërë në drejtim të sistemit të ri penal. Tashmë, është plotësisht funksionale edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, dhe pritshmëria për të pasur një sistem drejtësie penale që godet krimin e organizuar dhe korrupsionin, është në nivelet më të larta. Procesi i pastrimit të sistemit të prokurorisë ashtu si dhe gjyqësorit, ishte një proces më se i nevojshëm, i cili ka dhënë rezultate shumë të mira dhe që do të vijojë të mbështetet nga ne”, theksoi Gjonaj.

Ministrja nënvizoi se “vetëm nëpërmjet bashkëpunimit dhe ndërveprimit institucional, ne mundet të çojmë para angazhimin që të gjithë kemi marrë përpara qytetarëve shqiptarë dhe të përmbushim pritshmëritë për një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm dhe të efektshëm”.