Humbi jetën nga shpërthimi i gomës, arrestohet pronari i gomisterisë, procedohet drejtuesi i ambulancës

U cilësua fillimisht si aksident , ngjarja tragjike e ndodhur dje në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku si pasojë e shpërthimit të një gome ndërroi jetë 20-vjeçar Rafael Tafaj.

Por sot forcat e rendit kanë arrestuar me akuzën e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë pronarin e gomisterisë ku punonte viktima, shtetasin Xhemal Duka.

Ndërkohë, u procedua penalisht për shpërdorim detyre  edhe drejtuesi i ambulancës Tiril Leba, që sipas familjarëve të 20-vjeçarit kishte ardhur me vonesë në vendngjarje, duke  e bërë të pamundur shpëtimin.

Sipas burimeve të A2, po bëhet verifikimi i GPS me të cilën janë të pajisur drejtuesit e ambulancave, nëse qëndron apo jo pretendimi i familjarëve, ndërkohë që paraprakisht mësohet se ka qenë në një shërbim tjetër në banesë kur është sinjalizuar për emergjencën e 20-vjeçarit.